Brexit, May: Negociatat janë drejt fundit

Kryeministja Theresa May është përballur këtë të martë me ministrat e saj të përçarë, teksa negociatorët “kacafyten” mes tyre për të arritur një marrëveshje divorci me Bashkimin Europian, ndërkohë që ankthi është rritur së tepërmi mbi një “Brexit” pa marrëveshje.

May tha të hënën se qeveria e saj po punonte “jashtëzakonisht shumë” për të pasur një marrëveshje, duke u thënë zyrtarëve të distriktit financiar të Londrës se, negociatat “janë drejt fundit”.

Advertisement

Një burim qeveritar britanik tha se një marrëveshje mund të arrihet të mërkurën, nëse ekziston shpresa për një samit të jashtëzakonshëm të BE-së gjatë këtij muaji, për të nënshkruar marrëveshjen e largimit.

Zëvendësi “de facto” i Mayt, David Lidington i tha një programi radiofonik të BBC-së gjatë së hënës se, marrëveshja “ende nuk ishte në prag të përfundimit”, por se “distanca ishte e rikuperueshme”.

Marrëveshje duhet ende të arrihet mbi një “numër të vogël çështjesh të vështira”, shtoi ai, duke thënë se një pakt përpara së mërkurës ishte “ende i mundshëm, por jo për t’u përcaktuar përfundimisht”.

May foli para udhëheqësve të qytetit të Londrës të hënën, kur tha se negociatorët e saj po punonin “edhe gjatë natës” për të arritur progres mbi çështjet e mbetura pezull.

“Nuk dua të kompromentoj atë për të cilën njerëzit votuan në referendum. Kjo nuk do të jetë një marrëveshje me çdo kosto”, shtoi ajo. Por, ministrat pro Brexitit në kabinetin e saj janë të shqetësuar se May pritet të pranojë kërkesat e BE-së mbi disa çështje kyçe, si për shembull kufirit irlandez.

Top Channel