Pas humbjes, Sërbia ankohet në FIFA për arbitrin Brych, “shqiponjën” dhe…

Serbia nuk po arrin ta pranojë humbjen nga Zvicra me rezultat 2:1 në duelin e tyre në “Kampionatin Botëror Rusi 2018”.

Federata Serbe e Futbollit ka paraqitur një ankimin në FIFA për arbitrin gjerman, Felix Brych, por edhe për futbollistët me origjinë shqiptare të Zvicrës, që festuan me simbolet kombëtare.

Advertisement

Me anë të kësaj ankese, serbët protestojnë veçanërisht për një 11-metërsh, sipas tyre të padhënë, pas një ndërhyrjeje të dy lojtarëve të Zvicrës ndaj sulmuesit Mitrovic.

Arbitri, argumenton federata serbe, jo vetëm që nuk vërshëlleu për ndërhyrje të gabuar ndaj Mitrovic, por nuk denjoi as të konsultohej me sistemin VAR, sikurse ka vepruar edhe në takime të tjera, kur ka patur raste të dyshimta të rëndësishme.

Gjithashtu, federata serbe është ankuar edhe për sjelljen e futbollistëve të Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri, duke festuar me shqiponjën dykrenare, simbol të të ashtuquajturës “Shqipërisë së Madhe”, një projekt të cilin Serbia e denoncon në vazhdimësi (dëshirën e të gjithë popullit shqiptar në vendet ballkanike për një shtet të madh).

Serbia ka protestuar edhe për faktin që në njërën prej këpucëve të Shaqirit ishte flamuri i Kosovës.