Robert Redford vjen në kinematë europiane me filmin e fundit

Një Robert Redford me pistoletë, mes melankolisë dhe argëtimit, do të jetë protagonisti i ”Old Man and the Gun”, i cili do të jetë gjithashtu edhe filmi i tij i fundit. Filmi i drejtuar nga regjisori David Lowery, do të mbërrijë në sallat e kinemasë europiane sot më 20 dhjetor, dhe ka në kastin e tij aktorët: Casey Affleck, Sissy Spacek, Danny Glover dhe Tom Waits. Bëhet fjalë për historinë e vërtetë të Forrest Tucker, të arratisjes së guximshme nga burgu i “San Quintinos” në moshën 70-vjeçare, me një plan të paparë, i cili mahniti një publik të tërë dhe i la forcat e rendit të enden kot nëpër errësirë duke e kërkuar. Gjuetinë ndaj Tucker e ndjek detektivi John Hunt, gjithnjë e më i tërhequr nga dedikimi i Forrest-it ndaj artit të vjedhjes, dhe një grua police, e cila e dashuron pavarësisht profesionit që ka zgjedhur. Në film dallohet një Redford i regjur nga faktori kohë, por gjithnjë joshës, i cili tensionin e ngjarjeve e menaxhon me argëtim, pikërisht ashtu siç donte të ishte dalja e tij nga bota e kinemasë. ”Kurrë mos thuaj kurrë”, por praktikisht kam vendosur që ky do të jetë roli im i fundit, është shprehur aktori në një intervistë për ”Entertainment Weekly”, duke specifikuar që do t’i qëndrojë besnik vendimit të marrë që në 2016-ën. Tashmë Redford kërkon të gjejë qetësi në periudhën e pensionit, duke qenë se punën e aktorit e kryen që prej vitit 1957. /ATA/

Advertisement