Pasi Kevin Hart hoqi dorë, zbulohet kush do t’i prezantojë çmimet “Oscar”

Oscar-i i 2019-s nuk do të ketë një prezantues kryesor, por do të ketë shumë të tillë. Ndryshimi erdhi pasi Kevin Hart hoqi dorë nga roli për shkak të disa postimeve kundër homoseksualëve të bëra vite më parë. Në këto kushte Akademia Oscar ka ndryshuar skemë dhe ka publikuar listën e të gjithë prezantuesve për ceremoninë e 91-të të çmimeve Oscar.

Emra të rëndësishëm do të prezantojnë nominimet dhe çmimet, mes të cilëve Jennifer Lopez, Charlize Theron, Daniel Craig, Awkwafina, Constance Wu, Tiny Fey, Amy Poehler, Maya Rudolph, Chris Evans, Brie Larson, Whoopi Goldberg, Amandla Stenberg , Tessa Thompson,  Emilia Clarke, Jason Momoa, Javier Bardem, Angela Bassett, Chadwick Boseman, Laura Dern, Samuel L. Jackson, Stephan James, Keegan-Michael Key, KiKi Layne, James McAvoy, Melissa McCarthy dhe Sarah Paulson.

Kujtojmë se komediani dhe aktori Kevin Hart hoqi dorë nga prezantimi i “Oscar 2019” pas disa polemikave që nisën mbi disa postime të tij në Twitter rreth homoseksualëve. Në vitin 2010 Kevin u shpreh se, nëse mund ta ndalonte djalin e tij që të bëhej homoseksual, do ta bënte.

“Një nga frikat e mia më të mëdha është që djali im të bëhet homoseksual”, u shpreh gjatë një interviste tetë vite më parë.

Kevin Hart tha se megjithëse prezantimi i Oscar-it kishte qenë një qëllim i tij për një kohë të gjatë, vendosi të heqë dorë për shkak se nuk dëshironte që të krijonte problematika.

“Unë sinqerisht i kërkoj falje komunitetit LGBTQ për fjalët e mia të së kaluarës. Më vjen keq që i kam lënduar njerëzit. Jam duke u përmirësuar dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë gjë. Qëllimi im është t’i bashkoj njerëzit, jo t’i përçaj. Shumë dashuri dhe vlerësim për Akademinë. Shpresoj që të takohemi sërish”, shkroi aktori në një postim tjetër në Twitter.

/Opinion/