«Nuk dua t’ju vijë keq për mua» Bebe Rexha flet për herë të parë për çrregullimet me shëndetin mendor

Ajo është një nga këngëtaret më të njohura shquptare në botë. E ka nisur gjithçka si tekstshkruese për artistët e mirënjohur si Rihanna dhe Eminem, ndërkohë që sot është një nga artistet me më shumë hite dhe rekorde në klasifikimet muzikore në botë. Por pavarësisht kësaj ngjitjeje të shpejtë, Bebe Rexhës i duhet të bashkëjetojë me çrregullimet e bipolaritetit.

Këngëtarja me famë botërore pranoi në mediat sociale se ajo ka luhatje të shpeshta të humorit, ndërkohë që falenderoi fansat e saj për mbështetjen. Këngëtarja 29-vjeçare tha se nuk ishte më “e turpëruar”, ndërkohë që njoftoi dhe lançimin e albumit të saj të ri. Bebe e ka ndjerë të nevojshme që të ndajë eksperiencën e saj me të gjithë ndjekësit dhe u ka kërkuar atyre që të mos ndjejnë keqardhje për të, por thjesht ta pranojnë ashtu siç është.

“Për një kohë super të gjatë unë nuk e kuptoja se përse ndihesha aq e sëmurë. Përse ndjeja pafuqi që më bënin që të mos dëshiroja të dilja nga shtëpia ose të rrethohesha nga njerëz dhe përse ndjeja super energji që nuk më lejonin që të flija gjumë, që nuk më lejonin të ndaloja së punuari ose të bëri muzikë. Tani e di pse! Unë jam bipolare dhe s’kam më turp ta them! Kjo është e gjitha. Ky album i radhës do të jetë albumi më i preferuar sepse unë nuk do fsheh asgjë. Ju dua të gjithëve shumë dhe shpresoj që të më pranoni mua siç jam. Nuk dua që juve t’ju vijë keq. Thjesht dua të më pranoni. Kjo është e gjitha. Ju dua!”- shkruan këngëtarja me famë botërore.

/Living/